×
Ky është një artikull në të cilin autori përmend dispozitat e vizitës së xhamisë pejgamberike të ndershme dhe në të ka sqaruar gabimet të cilat i veprojnë shumë njerëz që qëndrojnë në Medine. Këto gabime i ka trajtuar në bazë të asaj që është vërtetuar prej Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe shokëve të tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta) duke i prezantuar me një renditje dhe metodologji të lehtë që iu përshtaten njerëzve në përgjithësi.

    Dispozitat e vizitës së Xhamisë Pejgamberike

    ﴿ أحكام زيارة المسجد النبوي ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Jusuf b. Abdil-lah El Ahmed

    Përktheu: Driton Lekaj

    2010 - 1431

    ﴿ أحكام زيارة المسجد النبوي ﴾

    « باللغة الألبانية »

    يوسف بن عبد الله الأحمد

    ترجمة: دريتون ليكاي

    2010 - 1431

    Dispozitat e vizitës së Xhamisë Pejgamberike

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Lavdërimi e shpëtimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin dhe mbi familjen e shokët e tij si dhe për ata që i ndjekin me bamirësi deri në ditën e Gjykimit, e më pas:

    Në të vërtetë, dispozitat e vizitës së xhamisë Pejgamberike dhe namazit në të nuk janë të njohura për shumë njerëz dhe shumë të tjerë gjatë qëndrimit të tyre në Medine bëjnë një numër shkeljesh; Për këtë jam kujdesur që në këtë broshurë të sqaroj dispozitat dhe të tërheq vërejtjen sipas asaj që është vërtetuar nga Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta), duke i prezantuar ato me një renditje dhe metodologji të lehtë që i përshtaten njerëzve në përgjithësi.

    - Këtu i ke këto dispozita:

    1. Udhëtimi me qëllim të faljes në xhaminë e Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) është i ligjshëm fetarisht në çdo kohë; Për shkak se është vërtetuar ajo që e ka transmetuar Ebu Hurejre nga Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), i cili ka thënë: “Një namaz në xhaminë time është më i vlefshëm se njëmijë namaze në xhamitë tjera përveç Xhamisë së Shenjtë – Qabesë.” [1]

    2. Udhëtimi për shkak të namazit në xhaminë e Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) nuk është i ndërlidhur me haxhin; Kjo nënkupton se vizita e saj nuk është prej suneteve të haxhit apo veprave plotësuese, qoftë para haxhit apo pas tij.

    3. Kur të hyn muslimani në xhaminë e pejgamberike i preferohet ajo që i preferohet kur të hyj në çdo xhami e që është: të hyjë me këmbën e djathtë dhe të thotë:

    - “Bimil-lah ues salatu ues selamu ala resulil-lah. Allahum-meftah li ebvabe rahmetike” (Me emrin e Allahut dhe lavdërimi e shpëtimi qofshin për të dërguarin e Allahut. O Zot mi hap mua dyert e mëshirës tënde)

    - “Eudhubil-lahiladhim ve bivexhhihil kerim ve Sultanihil kadim minesh shejtanirr – rraxhim”. (Kërkoj mbrojtje nga Allahu i madh, me Fytyrën e tij fisnike dhe sundimin e tij të përjetshëm nga shejtani i mallkuar.)

    4. Pastaj i falë dy rekate tehijjetul mesxhid.

    5. Dhe pas namazit i preferohet të shkon te varri i Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe varri i dy shokëve të tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta) dhe i përshëndet ata me fjalët:

    - “Es-selamu alejkum ja resulAll-llah, ve rahmetull-llahi ve berekatuhu.” (Paqja qoftë mbi ty o i Dërguar i Allahut dhe mëshira e Allahut dhe bekimet e tij)

    - “Es selamu alejke ja Eba Bekr” (Paqja qoftë mbi ty o Ebu Bekr)

    - “Es selamu alejke ja Umer” (Paqja qoftë mbi ty o Umer)

    E pastaj largohet dhe nuk ndalet. Kështu vepronte vepronte Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur vinte nga udhëtimi. E nëse shton edhe ndonjë lutje për ta duke mos iu përmbajtur vazhdimisht, s’ka gjë inshAllah.

    6. Preferohet për atë që është në Medine të merr abdes në shtëpinë e tij dhe të shkon deri në xhaminë e Kubasë dhe të falë në të dy rekate për shkak të fjalës së Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Ai që merr abdes në shtëpinë e tij e pastaj vjen në xhaminë e Kubasë dhe i falë në të dy rekate i takon shpërblimi sikurse i umres.”[2]

    7. I preferohet që të vizitoj varrezat ‘El Beki’ dhe varrezat e dëshmorëve në Uhud ngase, Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i vizitonte ata dhe lutej për ta, poashtu për shkak të kuptimit të përgjithshëm të fjalës së Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Ua ndalova më parë të vizitonit varrezat por, veni re! Tashmë ju mund vizitoni ato.”[3]

    Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i mësonte shokët e tij që kur të vizitonin varrezat të thonin:

    “Es selamu alejkum Ehled Dijari minel Muminine vel Muslimin. Ve in-na inshallahu bikum lahikun, nes’elullahe lena ve lekumul afije.” [4]

    (Shpëtimi qoftë mbi ju banorë të varrezave besimtarë dhe muslimanë, edhe ne, në dashtë Allahu, do t’ju bashkëngjitemi, e lus Allahun që të na shpëtojë ne dhe ju.)

    8. Duhet të dihet se ndërtimi mbi varreza i kupollave (tyrbeve) dhe gjërave tjera apo ndërtimi i xhamive mbi varreza apo varrimi i të vdekurve në xhamia është ndër ndalesat më të mëdha prej të cilave ka tërhequr vërejtjen Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) në formë të prerë dhe atë në citate të shumta e prej tyre:

    a) Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë se: I Dërguari i

    Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) në sëmundjen e cila e kishte kapluar dhe nuk u shërua prej saj kishte thënë: “Allahu i mallkoftë jehudët dhe krishterët të cilët shndërruar varrezat e pejgamberëve të tyre në xhamia.”

    b) Aisheja gjithashtu transmeton se Ummu Habibe dhe Ummu

    Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të dyja) ia kanë përmendur të Dërguarit të Allahut (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) një kishë të cilën e kishin parë në Etiopi dhe në të cilën kishte piktura, e ai tha: “Ata kishin traditë që kur vdiste një njeri i mirë prej tyre ndërtonin mbi varrin e tij një faltore dhe i pikturonin në të ato piktura. Ata janë krijesat më të këqija te Allahu ditën e Gjykimit.”[5]

    c) Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Pejgamberi

    (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka ndaluar që të lyhet varri me gëlqere, uljen mbi të apo të ndërtohet diçka mbi të.” [6]

    d) Ebi Merthed (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi

    (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Mos u uluni mbi varrezat e as mos u falni drejt tyre.” [7]

    Ndërsa për sa i përket prezencës së varrit të Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) në xhami; Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) nuk ishte varrosur në xhami por, është varrosur në dhomën e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të) e dhoma e saj ishte jashtë xhamisë dhe kësisoj vazhdoi kjo çështje gjersa përfundoi epoka e Sahabëve në Medinë.

    Pastaj u zgjerua xhamia në kohën sa ishte halife, El Velid b. Abdul Melik dhe u fut në të edhe kjo dhomë.[8] Ka qenë obligimi që zgjerimi të mos kryhej në anën e varrit të Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) por, të ndodhte në të tri anët e tjera kështu që të mbetet varri jashtë xhamisë, sikurse që ka ndodhur me zgjerimin e xhamisë në kohën e Umerit dhe Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy).

    - Gabime dhe vërejtje:

    1. Shumë njerëz udhëtojnë drejt Medinës dhe për qëllim kanë vizitën e varrit të Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) por, kjo vepër nuk lejohet. Ajo që është legale është që muslimani të synoj me vizitën e tij faljen e namazit në xhaminë pejgamberike, për shkak të fjalës së Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Nuk synohen me udhëtim vetëm se tri xhami: Xhamia e shenjtë - Qabeja, xhamia ime dhe xhamia El Aksa.”[9]

    2. Vizita e varrit të Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), vizita e varrit të dy shokëve të tij dhe varrezave të Bekisë si dhe varrezave të tjera është e posaçme për burrat, ndërsa grave nuk ju lejohet vizita e ndonjë varreze për shkak të fjalës së Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Allahu i mallkoftë ato gra që i vizitojnë shpesh varrezat.”[10]

    3. Askujt nuk i lejohet që ta fshijë veten e tij për minberin dhe as për dhomën në të cilën është varri i Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe dy shokëve të tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta) dhe as që t’i puthë ata apo të rrotullohet rreth tyre, sepse tërë kjo është bidat i urryer.

    4. Nuk i lejohet që të kërkoj nga Pejgamberi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e as nga dikush tjetër kryerjen e ndonjë nevoje, apo çlirimin nga ndonjë telashe, shërimin nga sëmundja, të ndërmjetësojë për të në botën tjetër apo të ngjashme, ngase kjo e tëra nuk kërkohet vetëm se nga Allahu i lartësuar dhe kërkimi i tyre nga të vdekurit është shirk ndaj Allahut të lartësuar.

    5. Prej veprave të shpikura është ajo që e veprojnë disa vizitorë si ngritja e zërit te varri i tij (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), qëndrimi i gjatë, kujdesi për të bërë dua te varri i tij. E ndoshta kthehet drejt varrit, i ngritë duart dhe lutet apo viziton varrin e Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) pas çdo namazi, apo çdo herë që hynë në xhami apo del prej saj;

    Tërë kjo është në kundërshtim me traditën e gjeneratave të para të selefit prej shokëve të Pejgamberit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe atyre që i ndoqën ata me bamirësi, bile kjo është bidat i shpikur.

    6. Më lart kemi sqaruar se çka lejohet për atë që e viziton Medinën dhe gjithçka tjetër pos kësaj nuk është e kërkuar fetarisht, sikurse vizita e Shtatë xhamive, xhamisë së Kibletejnit dhe vende të tjera gjithashtu shkuarja pas atyre që i quajnë “ciceronë”, e që ua përcjellin haxhinjve lutjet e veçanta.

    [1] Tranmseton Buhariu dhe Muslimi.

    [2] Hadith i vërtetë të cilin e ka transmetuar Ahmedi, Nesaiu dhe të tjerët.

    [3] Transmeton Muslimi.

    [4] Transmeton Muslimi.

    [5] Transmeton Muslimi.

    [6] Transmeton Muslimi.

    [7] Transmeton Muslimi.

    [8] Mexhmuatul Fetava Ibn Tejmije: 323/27

    [9] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

    [10] Hadith i vërtetë të cilin e transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh.