Dhuntia më e madhe që ekziston
Kategoritë
Full Description
Dhuntia më e madhe që ekziston
﴿ أعظم نعمة في الوجود ﴾
] Shqip – Albanian – ألباني [
Fehd ibn Salim Bahmam
Përktheu: Jusuf Kastrati
2015-1436
﴿ أعظم نعمة في الوجود ﴾
« باللغة الألبانية »
فهد بن سالم باهمام
ترجمة: يوسف كاستراتي
2015-1436
Dhuntia më e madhe që ekziston
Allahu e begatoi njeriun me dhunti të panumërta, të cilat i shfrytëzon vazhdimisht çdonjëri nga ne. Allahu i Lartësuar na begatoi me të parë dhe të dëgjuar në kohën kur shumë njerëz u privuan nga këto gjëra. Njëkohësisht, Ai na begatoi edhe me mendje, shëndet, pasuri dhe familje, madje Ai për ne nënshtroi tërë gjithësinë; diellin, qiellin, tokën dhe të gjitha krijesat që gjenden në të. I Madhërishmi thotë në Kur’an:
“Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato.” (En-Nahl: 18)
Mirëpo, me mbarimin e jetës sonë të shkurtër, të gjitha këto dhunti marrin fund... Mbetet vetëm një dhunti e cila kurrë nuk përfundon. Nëpërmjet kësaj dhuntie njeriu arrin lumturinë dhe qetësinë shpirtërore në këtë botë, por kjo nuk mbaron me kaq, ndikimi i saj vazhdon edhe në botën e amshueshme... kjo është dhuntia e udhëzimit në Islam, e cila njëherazi është edhe dhuntia më e madhe që Allahu ua jep robërve të Vet. Kjo është arsyeja pse Allahu e veçoi këtë mirësi në Kur’an, duke ia përshkruar atë Vetes së Tij. Ai thotë në Kur’an:
“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maide:3)
Pa më thoni, a ka dhunti më të madhe për njeriun sesa që Allahu ta nxjerrë atë nga errësirat e ta fusë në Dritën e Tij, duke e udhëzuar atë në fenë të cilën Ai e zgjodhi për të, në mënyrë që ta jetësojë kështu qëllimin për të cilin është krijuar, e që është adhurimi i Allahut! Vetëm nëpërmjet saj njeriu arrin lumturinë e kësaj bote dhe shpërblimin madhështor të botës tjetër.
A ka begati më të madhe për ne sesa që Allahu të na ngritë dhe të na zgjedhë t’i takojmë umetit më të mirë të njerëzimit, i cili bart fjalën “La ilahe il-la Allah” (Nuk ka Zot që meriton të adhurohet përveç Allahut) me të cilën erdhën të gjithë pejgamberët, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi ta.
Kur pandehën disa të paditur se ata i kishin bërë favor Islamit që e kishin pranuar atë dhe filluan t’ia përmendin këtë gjë të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ai ua tërhoqi vërejtjen atyre duke ua bërë të ditur se e tërë mirësia i takon Allahut që ua bëri të lehtë udhëzimin në këtë fe, siç thotë Allahu në Kur’anin famëmadh:
Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: “Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (El-Huxhuratë:17)
Dhuntitë e Allahut janë të shumta, mirëpo megjithatë, dhuntia e vetme të cilën Allahu e përmendi në Kur’an si begati të Tij ndaj nesh është Islami dhe udhëzimi që ta adhurojmë vetëm Allahun dhe ta njësojmë Atë.
Por, për ta forcuar këtë dhunti dhe për të mos e humbur atë, patjetër duhet ta falënderojmë Allahun për të, sepse Ai thotë në Kur’an:
“Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. (Ibrahim:7)
Mirëpo, si duhet ta falënderojmë Zotin për këtë mirësi?
Falënderimi për këtë mirësi bëhet në dy mënyra:
1. Duke u kapur fort për kësaj feje dhe njëherazi duke qenë i qëndrueshëm ndaj sprovave që të godasin në të.
2. Duke mësuar Islamin dhe duke i ftuar njerëzit në të me urtësi dhe argumente të qarta.
Marrë nga libri: “Delijlu’l-muslim el-xhedijd” i autorit Fehd ibën Salim Bahmam
Përktheu: Jusuf H. Kastrati