×
Pyetje të cilës iu është përgjigjur hoxha i nderuar Muhamed Salih El Munexhid – Allahu e ruajtë – e teksti i saj është: “Cilat janë arsyet që lejojnë prishjen e agjërimit në Ramazan?”.

    Pyetja: Cilat janë arsyet që lejojnë prishjen e agjërimit në Ramazan?

    Përgjigja:

    Falënderimi i takon Allahut ..

    Prej lehtësimit të Allahut të lartësuar është se Ai nuk e ka obliguar agjërimin vetëm se për atë që mund ta kryejë si dhe e ka lejuar prishjen e tij për atë që nuk ka mundësi të agjëroj për ndonjë arsye të ligjshme fetarisht.

    Arsyet e ligjshme fetarisht janë:

    Së pari: Sëmundja

    Sëmundje është çdo shkak që nxjerr njeriun nga kufiri i shëndetit.

    Ibn Kudame thotë: Në parim dijetarët janë të pajtimit për lejimin e prishjes së agjërimit nga i sëmuri dhe bazë për këtë është fjala e Allahut të lartësuar: “E kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë." (El Bekare: 184). Seleme b. Ekva (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Kur ka zbritur ky ajet: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri" ai që dëshironte të prishte agjërimin e prishte atë dhe shpaguante për atë ditë, derisa zbriti ajeti pas tij d.m.th. fjala e Allahut të lartësuar: (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme." dhe e ka anuluar atë.

    I sëmuri i cili i frikësohet shtimit të sëmundjes së tij, ngadalësimit të shërimit apo dëmtimit të ndonjë gjymtyre i takon ta prishë agjërimin bile është e prefruar për të ta prishë dhe nuk është i pëlqyer plotësimi i tij, ngase mund të ketë pasoja fatale për të kështu që e ka obligim të ketë kujdes për shëndetin e tij. Gjithashtu sëmundja e vështirë ia lejon prishjen e agjërimit të sëmurit, ndërsa i shëndoshi nëse i frikësohet vështirësisë apo lodhjes nuk i lejohet ta prishë agjërimin, nëse agjërimi nuk i shkakton vetëm se lodhje të madhe.

    Së dyti: Udhëtimi

    Udhëtimi në të cilin lejohet prishja e agjërimit i ka këto kushte:

    1. Të jetë udhëtimi i gjatë, ashtu që të shkurtohet në të namazi.

    2. Të mos vendos udhëtari për qëndrim gjatë udhëtimit të tij.

    3. Të mos jetë udhëtimi i tij për të kryer ndonjë mëkat por, për një qëllim të pastër, sipas shumicës së dijetarëve. Dhe kjo sepse, prishja e agjërimit është lejim dhe lehetësim, e mëkatari nuk e meriton atë me udhëtimin e tij, i cili udhëtim është bërë për mëkat sikurse p.sh. të udhëton për t'ua prerë rrugën (plaçkitë) njerëzve.

    - Ndërprerja e lejimit për shkak të udhëtimit:

    Ndërprerja e lejimit për shkak të udhëtimit, me pajtimin e dijetarëve, ndodh për dy gjëra:

    E para: Kur të kthehet udhëtari në vendbanimin e tij dhe hyn në vendin e tij, e që është edhe vendqëndrimi i tij.

    E dyta: Nëse udhëtari e bën nijet qëndrimin e tij të përhershëm, apo e përcakton kohën e qëndrimit në një vend të vetëm dhe ky vend është i përshtatshëm për të qëndruar, atëherë ai bëhet vendas me këtë, e plotëson namazin si dhe agjëron e nuk e prish agjërimin në Ramazanpër shkak se përfundon për të satusi i udhëtarit.

    Arsyeja e tretë: Shtatzënia dhe gjidhënia.

    Dijetarët e Fikhut janë të pajtimit se shtatëzënës dhe gjidhënëses iu takon ta prishin agjërimin në Ramazan me kusht që të frikësohen për veten e tyre apo për fëmijët nga sëmundja apo shtimi i saj, dëmtimi apo ndonjë pasojë fatale. Argumenti për lejimin e prishjes së agjërimit për to është: “E kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë." (El Bekare: 184). Nuk është për qëllim prej nocionit 'sëmundje' ana e jashtme apo vetë sëmundja, ngase i sëmuri të cilin nuk e dëmton agjërimi nuk i takon ta prishë atë por, përmendja e sëmundjes ishte një sinonim për diçka që kur bashkohet me agjërimin e dëmton njeriun, e që realisht është: 'esenca (thelbi) e sëmundjes'. E përderisa mund që agjërimi i tyre të ketë pasoja, atëherë që të dyjat i përfshinë lejimi i prishjes së agjërimit. Prej argumenteve që iu lejohet prishja e agjërimit është edhe hadithi i Enes b. Malik El Kabijj (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Allahu e ka liruar udhëtarin nga agjërimi dhe gjysma e namazit si dhe e ka liruar shtatëzënen apo gjidhënësen nga agjërimi."

    E katërta: Pleqëria dhe mosha e shtyrë

    Në pleqëri dhe moshë të shtyrë hynë: Plaku i moshuar, të cilit iu ka dobësuar forca apo vetëm sa nuk ka hyrë në moshë të shtyrë dhe për çdo ditë shkon mplakjes gjersa të vdesë. I sëmuri i cili nuk pret të shërohet dhe nuk ka shpresë se do t'i përmirësohet shëndeti dhe plaka. E argument për legjitimitetin e prishjes së agjërimit për këta që u përmendën është fjala e Allahut të lartësuar: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri" (El Bekare: 184)

    Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Ajeti nuk është anuluar por, i përshtatet plakut të moshuar, plakës së moshuar të cilët nuk mund të agjërojnë, por që për çdo ditë agjërimi i japin ushqim një të varfëri.

    E pesta: Lodhja e tepërt si pasojë e urisë dhe etjes.

    Ai që lodhet nga uria e tepërt apo etja e madhe, atëherë e prishë agjërimin dhe han aq sa është e domosdoshme për ta larguar nevojën e tij e më pas përmbahet nga ushqimi pjesën tjetër të ditës dhe e kompenson atë ditë.

    Ia kanë bashkëngjitur lodhjes nga uria dhe etja frikën e dobësimit nga takimi me armikun e paramenduar apo të sigurtë, sikurse nëse është i rrethuar. Kësisoj, luftëtari nëse është i sigurtë apo ia merr mendja se do të ketë betejë me armikun e tij dhe i frikësohet dobësisë në luftë për shkak të agjërimit, dhe nuk është udhëtar, atëherë atij i takon ta prishë agjërimin para luftës.

    E gjashta: Detyrimi.

    Me detyrimin nënkuptojmë: Kur njeriu detyron (imponon) dikë të veprojë apo lerë diçka prej asaj që nuk e dëshiron përmes kërcënimit.

    [Enciklopedia e Fikhut: 28/73]