×
Pyetje të cilës iu është përgjigjur hoxha i nderuar Muhamed Salih El Munexhid – Allahu e ruajtë – e teksti i saj është: “Kur lejohet ta përdorim tevrijen? Dhe nëse është përdorimi i saj i lejuar për shkak të nevojës, atëherë si përcaktohet ajo?”

    Kur lejohet Et Tevrije dhe cila është nevoja që e dikton atë?

    ﴿ متى تصح التورية؟ وما هي الضرورة فيها؟﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed Salih El Munexhid

    Përktheu : Driton Lekaj

    2010 - 1431

    ﴿ متى تصح التورية؟ وما هي الضرورة فيها؟﴾

    « باللغة الألبانية »

    محمد صالح المنجد

    ترجمة: دريتون ليكاي

    2010 - 1431

    Pyetja: Kur lejohet ta përdorim Tevrijen- të folurit me dy kuptime? Dhe nëse është përdorimi i saj i lejuar për shkak të nevojës, atëherë si përcaktohet ajo?

    Përgjigja:

    Falënderimi i takon Allahut ...

    Tevrije d.m.th. gjuhësisht: fshehja e diçkaje.

    Allahu i lartësuar thotë: “Allahu dërgoi një sorrë, e cila groponte në dhe, për t'i treguar atij se si ta mbulojë trupin e vëllait. E ai i tha: "I mjeri unë, a nuk qesh i aftë të bëhem si kjo sorrë, e ta mbuloja trupin e vëllait tim?" Ashtu mbeti i penduar." (El Maide: 31)

    Dhe thotë qoftë i lartësuar: “O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri. Këto janë nga argumentet e Allahut, ashtu që ata të përkujtojnë." (El Araf: 26)

    Ndërsa kuptimi i saj terminologjik është që: njeriu ta thotë një fjali e që prej saj dëgjuesi kupton diçka të caktuar ndërsa thënësi e ka për qëllim një kuptim tjetër e që fjalia e toleron atë.

    Sikurse p.sh. të thotë se: Nuk posedoj dërhem në xhepin tim. Prej kësaj kuptohet se ai nuk ka fare pasuri, ndërsa ai ka për qëllim të thotë se nuk posedon dërhem por, posedon dinarë p.sh. Kjo lloj bisede quhet 'Tarid' apo 'Tevrije'.

    Tevrije llogaritet prej zgjidhjeve të ligjshme fetarisht për t'iu ikur rasteve kritike në të cilat ndoshta gjendet ndonjëherë njeriu kur të pyetët për ndonjë çështje dhe ai nuk donë ta shpalosë realitetin nga njëra anë por, edhe nuk dëshiron ta gënjejë bashkëbiseduesin në anën tjetër.

    Tevrije lejohet kur e kërkon nevoja apo interesi i ligjshëm i sheriatit dhe nuk bën që njeriu ta bëjë atë shprehi dhe ta përsërisë shpesh si dhe nuk duhet ta përdorë atë për të marrë diçka që nuk i takon apo për ta mohuar të drejtën e dikujt.

    Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) thotë:

    “Dijetarët kanë thënë: Nëse interesi fetar i sigurt e dikton mashtrimin e bashkëbiseduesit apo e dikton atë ndonjë nevojë për të cilën s'mund të gjendet zgjidhje tjetër përpos gënjeshtrës, atëherë s'ka gjë të përdoret tevrija. E nëse atë nuk e dikton as ndonjë interes e as nevoja, atëherë përdorimi i saj është i urryer (mekruh) por, jo edhe haram. Mirëpo nëse përmes saj arrin të merr diçka që nuk është e tij apo ta zhvlerësojë të drejtën e dikujt, atëherë shndërrohet në të ndaluar (haram). Ky është rregulli i përgjithshëm që e përcakton këtë çështje." [1]

    Disa dijetarë kanë mendimin se përdorimi i tevrijes pa ndonjë nevojë apo interes është i ndaluar dhe ky është mendimi i përzgjedhur nga Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë). [2]

    Janë disa raste për të cilat na ka udhëzuar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ta përdorim tevrijen, si p.sh:

    · Nëse njeriu e prish abdesin gjatë namazit me xhemat, si të

    veprojë në këtë situatë të vështirë?

    Përgjigja: Ai duhet ta vendosë dorën e tij mbi hundë (kinse po i rrjedh gjak) dhe të del.

    Argumenti për këtë është se: Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur dikush prej juve e prish abdesin gjatë namazit, le ta vendosë dorën mbi hundën e tij dhe le të largohet." [3]

    Et Tibi ka thënë: Ka urdhëruar që të vendoset dora mbi hundë që t'i bëjë të tjerët të besojnë sikurse ka gjakderdhje në hundë dhe kjo nuk është gënjeshtër por, prej tevrije e shprehur me anë të veprave. Dhe kjo iu është lejuar me qëllim që shejtani të mos ia josh moslargimin për shkak të frikës së turpit prej njerëzve."[4]

    Dhe kjo është prej tevrijes së lejuar dhe iluzionit të lavdëruar për shkak të eliminimit të vështirësisë nga ai. E ai që e sheh duke dalë mendon se i ka ndodhur gjakderdhje në hundë ...

    · Gjithashtu nëse myslimani përballet me situata të vështira dhe

    të zorshme ku detyrohet të flasë të kundërtën e realitetit me qëllim që ta shpëton veten e tij, apo ta shpëton dikë që i bëhet padrejtësi, apo të del nga një vështirësi e madhe apo të nxjerret nga një situatë e vështirë.

    Me këtë rast është një rrugë e ligjshme fetarisht dhe dalje e lejuar ku ka mundësi ta përdorë atë gjatë nevojës e që është Tevrije apo 'El Mearid'. Buhariu (Allahu e mëshiroftë) e ka titulluar një kaptinë në librin e tij “Es Sahih": Kaptina: “El Mearid (shprehjet dykuptimore) rrugëdalje nga gënjeshtra".[5]

    Në vijim do të sqarojmë me shembuj disa tevrije që i kanë përdorur gjeneratat e para dhe dijetarët e të cilat i ka përmendur Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Igathetul Lehfan":

    · Është përmendur nga Hamadi (Allahu e mëshiroftë) se kur i vinte ndokush që nuk donte të ulej me të thoshte duke u shtirë se ka dhembje: Dhëmballa ime, dhëmballa ime dhe kësisoj ai që në shoqërimin e tij nuk kishte dobi e lente atë.

    · Sufjan Eth Thevrin e kishin sjellë në ndejën e Halifes, Mehdiut, e atij i pëlqeu kjo për këtë e dëshiroi të dal. Halifeja i tha: Patjetër duhet të qëndrosh. Thevriu u betua se do të kthehej kështu që doli dhe i la nallet e tij te dera e pas pak u kthye dhe i mori nallet e tij dhe u larguar. Më pas halifeja pyeti për të e i thanë që u betua se do të kthehet dhe vërtet u kthye i mori nallet e tij dhe shkoi.

    · Imam Ahmedi ishte në shtëpinë e tij me disa nxënës të tij e prej tyre edhe Merrudhi. Erdhi një njeri dhe nga jashtë e kërkoi Merrudhin, e Imam Ahmedit nuk i pëlqente dalja e tij, për këtë i tha: Merrudhi nuk është këtu, e çka të bëjë Merrudhi këtu, dhe e vendoste gishtin në shuplakën e dorës së tij dhe fliste, sepse pyetësi nuk e shihte.

    Prej shembujve të tevrijes gjithashtu:

    · Nëse një njeri të pyet a e ke parë filanin dhe ti frikësohesh se nëse i tregon ai do të hakmerret ndaj tij, atëherë i thua nuk e kam parë (ma reejtuhu) dhe me këtë ke për qëllim se ti nuk i ke copëzuar mushkëritë e tij. Dhe kjo në gjuhën arabe është e saktë. Apo e mohon se e ke parë atë dhe me zemrën tënde e ke për qëllim ndonjë kohë apo vend të caktuar në të cilën nuk e ke parë.

    · Apo p.sh. nëse të betohet që të mos i flasësh filanit dhe ti thua: Betohem në Allahun se nuk do t'i flas (VAllahi len ukel-limehu) dhe ke për qëllim se nuk do ta lëndosh, sepse fjala 'El Kelm' gjuhësisht ka kuptimin edhe të lëndimit.

    · Gjithashtu nëse një person detyrohet të bëjë kufër dhe i thuhet: Mohoje Allahun (i bën kufër Atij), atëherë lejohet të thotë: E kam mohuar Allahun (Kefertu bil-lAhii) d.m.th. e mohoj lojtarin." [6] [7]

    Në fund e tërheqim vërejtjen se muslimani nuk duhet ta përdorë Tevrijen vetëm se në situata tejet të vështira dhe këtë për disa shkaqe:

    1. Shpeshtimi i përdorimit të tevrijes çon në gënjeshtër.

    2. Humbja e besimit mes njerëzve në bisedat mes njëri tjetrit. Ngase ndonjëri prej tyre do të dyshoj në fjalët e vëllait të tij se a ka për qëllim atë që e thotë apo diç tjetër.

    3. Dëgjuesi kur ta kupton realitetin e një çështjeje, e që është në kundërshtim me anën e jashtme të bisedës së atij që e përdor tevrijen, si dhe nuk e kupton se ai ka bërë tevrije, atëherë e konsideron atë gënjeshtar. E kjo është në kundërshtim me rregullin fetar se duhet pohuar pafajësinë ne aspektin e nderit.

    4. Është rrugë për të hyrë vetëmashtrimi te ai që e përdor tevrijen për shkak të ndjenjës se ai mund të shfrytëzoj pakujdesinë e të tjerëve."[8]

    E Allahu e dinë më së miri.

    [1] “El Edhkar", fq: 380.

    [2] “El Ihtijarat", fq:563.

    [3] Transmeton Ebu Davudi në “Sunenin" e tij me nr: 1114 dhe atë e përmend Shejh Albani në “Sahih Sunen Ebi Davud" me nr: 985.

    [4] “Mirkatul Mefatih Sherh Mishkatul Mesabih" 3/18.

    [5] Sahihul Buhari, Kapitulli i Edukatës, kaptina me nr: 116.

    [6] “Igathetul Lehfan" i Ibn Kajjimit: 1/381 dhe atë që vijon si dhe 2/ 106 – 107. Shiko një hulumtim rreth tevrijes në librin “El Adab Esh Sherijje" të Ibn Muflih, 1/14.

    [7] Shembujt e fundit i përshtaten gjuhës arabe megjithatë, mund të gjenden shembuj të ngjashëm edhe në gjuhët e tjera. Me rëndësi është të përfitohet ideja e përgjithshme nga teksti. (sh.p.)

    [8] Përfundon citati nga libri “Si të veprosh në këto raste?"