×
Pyetja: Cili është mendimi i juaj, hoxhë i nderuar, për një person i cili shkurorëzoi gruan e tij në mënyrë administrative, d.m.th. e ka nxjerrë certifikatën e shkurorëzimit nga administrata e caktuar pa e shkurorëzuar atë realisht do të thotë pa e shqiptuar fjalën shkurorëzim. Këtë e ka bërë për ta përdorur certifikatën e shkurorëzimit për t’u martuar me një vajzë evropiane me qëllim të posedimit të dokumenteve të leje qëndrimit. Dhe pasi që ta merr atë e shkurorëzon këtë të fundit dhe e kthen kontratën me gruan e tij të parë. Cila është dispozita e sheriatit për këtë punë?

    Dispozita rreth martesës dhe shkurorëzimit në letra për ta marrë leje qëndrimin në vendet joislame

    ﴿ حكم النكاح والطلاق على الورق بقصد الإقامة في بلاد الكفر﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed Salih El Munexhid

    Përktheu : Driton Lekaj

    2010 - 1431

    ﴿ حكم النكاح والطلاق على الورق بقصد الإقامة في بلاد الكفر﴾

    « باللغة الألبانية »

    محمد صالح المنجد

    ترجمة: دريتون ليكاي

    2010 - 1431

    Pyetja: Cili është mendimi i juaj, hoxhë i nderuar, për një person i cili shkurorëzoi gruan e tij në mënyrë administrative, d.m.th. e ka nxjerrë certifikatën e shkurorëzimit nga administrata e caktuar pa e shkurorëzuar atë realisht do të thotë pa e shqiptuar fjalën shkurorëzim. Këtë e ka bërë për ta përdorur certifikatën e shkurorëzimit për t'u martuar me një vajzë evropiane me qëllim të posedimit të dokumenteve të leje qëndrimit. Dhe pasi që ta merr atë e shkurorëzon këtë të fundit dhe e kthen kontratën me gruan e tij të parë. Cila është dispozita e sheriatit për këtë punë?

    Përgjigja:

    Falënderimi i takon Allahut ..

    Së pari: Martesa është besë e fortë dhe është prej normave të mëdha të sheriatit përmes së cilës lejohen marrëdhëniet intime dhe pohohen të drejtat sikurse mehri (dhurata e martesës), trashëgimia, përkatësia e fëmijëve u takon babait të tyre si dhe norma të tjera.

    Shkurorëzimi e bën gruan të ndaluar për burrin e saj, e privon atë nga trashëgimia, ia lejon martesën me dikë tjetër – sipas kushteve të njohura.

    E qëllimi ynë përmes këtij shpjegimi është: Tërheqja e vërejtjes muslimanëve që të mos përdorin këto dy kontrata vetëm se për atë që i ka ligjësuar Allahu i lartësuar dhe të mos merren si lojë dhe shaka. Për fat të keq kemi parë njerëz që lidhin kontratë me një grua jo për t'ju lejuar kënaqësia me të e as për të formuar familje – sikurse që ndodh me kontratën e ligjësuar fetarisht – por, që ta arrin me këtë një qëllim të kësaj bote sikurse: regjistrimi i tokës, apo nxjerrja e lejes për dyqan, apo marrja e lejes së qëndrimit, apo t'ia mundësojë gruas të dalë jashtë vendit të saj. Dhe në tërë këtë burri nuk është burrë real e as gruaja nuk është grua reale por, është martesë formale! Ngjyrë mbi letër! E kjo është lojë dhe shaka me dispozitat e sheriatit dhe nuk lejohet veprimi i saj, e as pjesëmarrja në nënshkrimin e saj. E ndalesa bëhet më e theksuar nëse përmes saj dëshirohet të arrihet një çështje e ndaluar sikurse ata që e bëjnë këtë për të marrë leje qëndrimin në shtetet jo islame.

    Dhe thuaj njësoj për shkurorëzimin, sepse edhe ai është dispozitë e sheriatit që nuk i lejohet askujt të bëj shaka me të dhe as të luaj me rregullat e tij dhe e quajnë atë: Shkurorëzimi formal! Ngjyrë mbi letër!

    Le ta dinë të gjithë këta se me këtë vepër kanë bërë mëkat. Allahu nuk e ka ligjësuar martesën dhe shkurorëzimin që të jetë gruaja emër në kontratë, për të cilën nuk ka dispozita dhe nuk ka të drejta. Dhe le ta dinë se me këtë martesë fiksohen dispozitat e saj menjëherë pas kontratës nëse plotësohen kushtet dhe shtyllat e saj – e nëse humb diç prej tyre martesa konsiderohet e pasaktë. Dhe shkurorëzimi ndodh prej burrit menjëherë pas shqiptimit të tij. Në sheriat nuk ka martesë formale e as shkurorëzim formal dhe se mëkati iu shtohet atyre që e bëjnë këtë nëse me këtë kanë për qëllim arritjen e një vepre të ndaluar sikurse dikush që e bën këtë për të ikur nga dhënia e të drejtave njerëzve apo larja e borxheve ndaj tyre, apo të arrin gruaja të merr ndihmë të përgjithshme nga një shtet apo organizatë, apo të arrin që të qëndrojë në një shtet jo islam ku ndalohet qëndrimi në të dhe qëllime të tjera të ndaluara e të kota.

    Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

    “Ligjvënësi (Allahu i lartësuar) e ka ndaluar të merren argumentet e Allahut për lojë dhe që njeriu të flasë me argumentet e Allahut e që janë marrëveshjet (kontratat) vetëm se seriozisht dhe përmes së cilës dëshirohen objektivat e tyre të përcaktuara me sheriat. Për këtë është ndaluar loja me to si dhe nga Et Telxhie[1] dhe sikur që është ndaluar 'Tahlili'[2] dhe në këtë ka aluduar fjala e Allahut të lartësuar: “Dispozitat e Allahut mos i merrni për shaka." si dhe fjala e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Si është puna e disa njerëzve që luajnë me kufijtë e Allahut dhe bëjnë shaka me argumentet e tij: Të kam shkurorëzuar, të kam kthyer, të kam shkurorëzuar, të kam kthyer". Nga kjo kuptohet se loja me to është e ndaluar." [3]

    Sipas kësaj:

    Nëse një person e marton një grua me të cilën e ka të lejuar martesën dhe kjo kryhet sipas rregullave të sheriatit si dhe ju përmbahet shtyllave dhe nuk ka pengesa, atëherë kjo është martesë e saktë që rezultojnë nga ajo detyrimet.

    E nëse njeriu e shkurorëzon gruan e tij me shprehjen e shkurorëzimit, atëherë shkurorëzimi ndodh edhe nëse nuk e ka pas për qëllim zbatimin e shkurorëzimit.

    Ndërsa shkurorëzimi me shkrim pa e shqiptuar shprehjen e shkurorëzimit, atëherë në këtë ka sqarim i cili është sqaruar në përgjigjen e pyetjes me nr: 72291.[4]

    Së dyti: Martesa me këtë evropiane me qëllim të arritjes së leje qëndrimit e më pas e shkurorëzon atë është vepër e ndaluar dhe për këtë e kemi përmendur fetvanë e Shejh Abdulaziz b. Baz për ndalimin e kësaj vepre, në përgjigjen e pyetjes me nr: 2886.

    E ai edhe nëse e marton pa i plotësuar kushtet e martesës sikurse martesa pa pëlqimin e përgjegjësit apo me ekzistimin e ndonjë pengesë për t'u llogaritur martesa e saktë si p.sh. të jetë ajo prostitutë dhe nuk është penduar, apo të mos jetë nga ithtaret e Librit, atëherë martesa e tij është e ndaluar dhe e pasaktë.

    E nëse e marton përmes martesës ku janë plotësuar kushtet dhe shtyllat e martesës dhe është e zhveshur nga pengesat, atëherë martesa e tij është e saktë dhe rezultojnë prej saj detyrimet dhe i ndalohet atij nijeti (qëllimi për shkurorëzimin e saj).

    Së treti: Në këto vepra të shëmtuara sikurse marrja e certifikatës së shkurorëzimit nga gruaja e parë dhe martesa me të dytën për shkak të leje qëndrimit e pastaj shkurorëzimi i saj, ekzistojnë dy ndalesa tjera:

    E para: Dinakëria, gënjeshtra, dëshmia e rrejshme. Ai i bën hile shtetit dhe e mashtron atë për të arritur nënshtetësinë, e kjo është e ndaluar.

    E dyta: Ai dëshiron që përmes shkurorëzimit dhe martesës artificiale ta merr lejen e qëndrimit në vendet e jomuslimanëve. E në fenë tonë është ekziston ndalesa e qëndrimit në vendet e jomuslimanëve pa nevojë për shkak të rrezikut të madh për fenë dhe moralin si për individin ashtu edhe për familjen.

    Xherir b. Abdil-lah (Allahu qoftë i kënaqir me të) ka transmetuar se Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Unë distancohem nga çdo musliman i cili qëndron mes idhujtarëve."[5]

    Për këtë i këshillojmë vëllezërit e tonë muslimanë që t'ia kenë frikën Allahun në kontratat e ligjshme fetarisht dhe të mos i marrin si mjete për të arritur qëllime të kësaj bote, e është më meritore të largohen nëse synimet janë të ndaluara. Dhe le t'ia kenë frikën Allahut në gratë dhe fëmijët e tyre dhe le të mendojnë me kujdes se çka mund të shkaktojnë veprat e tyre dhe në çfarë pozita të vështira i vendosin apo ua mohojnë të drejtat dhe shumëçka tjetër prej të këqijave që rezultojnë në nënshkrimin e këtyre kontratave në forma të ndaluara.

    E Allahu e dinë më së miri.

    [1] Kontratë formale martesore apo e shitblerjes.

    [2] Kontrata formale e martesës e cila bëhet me qëllim që gruas së lëshuar tre herë, e së cilës nuk i lejohet ribashkimi me burrin e saj përveç nëse martohet me dikë tjetër e pastaj shkurorëzohet nga ai, t'i mundësohet të kthehet te burri i saj.

    [3] “El Fetava El Kubra" 6/56.

    [4] E rezyme e saj është se: Dijetarët e Fikhut janë të pajtimit se shkurorëzimi mund të ndodh edhe përmes shkrimit, por kushtëzohet që gjatë shkrimit të fjalëve ta ketë bërë nijet edhe shkurorëzimin e gruas së tij.

    [5] E transmeton Ebu Davudi me nr: 2645 dhe hadithin e konsideron të saktë Shejh Albani në librin e tij “Sahih Ebi Davud"