×
Kohë pas kohe shfaqen argumente të ndryshme të cilat tregojnë për fuqinë e Allahut dhe dobësinë e njeriut me gjithë arritjet e tij në shumë fusha. I tillë ishte edhe vullkani i Islandës ku për një kohë paralizoi transportin ajror pothuajse në tërësi. Besimtari i mirëfilltë ndalet te këto ngjarje duke u munduar të nxjerrë mësime dhe urtësi. E ky artikull ndalet te kjo ngjarje duke nxjerrë në pah urtësitë e shumta dhe mësimet e ndryshme.

    Mësime nga vullkani i Islandës

    ﴿ وقفات مع بركان آيسلندا ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed Salih El Munexhid

    Përktheu : Almedin Ejupi

    Rishikoi: Redaksia e klubikulturor.com

    2010 - 1431

    ﴿ وقفات مع بركان آيسلندا﴾

    « باللغة الألبانية »

    محمد صالح المنجد

    ترجمة: ألمدين أيوبي

    مراجعة: هيئة تحرير موقع "النادي الثقافي"

    2010 - 1431

    Mësime nga vullkani i Islandës

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

    Në një shtet të vogël që nuk është më shumë se një ishull i largët në veri të Oqeanit Atlantik shpërthen një vullkan i vogël nga nën akullnaja duke nxjerrë valë pluhuri, i cili ka shkaktuar panik të përgjithshëm në tërë kontinentin e Evropës dhe konfuzion për fluturimet ndërkombëtare.

    Avionët u ndalën, aeroportet u mbyllën dhe fluturimet u pezulluan. 113 aeroporte evropiane mbyllën dyert dhe më shumë se 63 mijë fluturime u anuluan, ndërsa humbjet e kompanive të fluturimeve ajrore arrijnë përafërsisht 250 milionë dollarë në ditë. Numri i pasagjerëve të prekur ka tejkaluar shtatë milionë. Sallat e aeroporteve u kthyen në konvikte për udhëtarë, e të mos flasim për humbjet e eksportuesve dhe importuesve.

    Evropa gjatë kësaj kohe u izolua nga bota e jashtme, e cila u përball me prishjen më të madhe të transportit ajror në historinë e saj, madje disa e kanë konsideruar si më të keqen në historinë e aviacionit.

    1- Mësoni nga kjo, o ju largpamës! Retë e hirit të një vullkani të vetëm godasin një kontinent të tërë me panik dhe frikë, paralizojnë lëvizjen ajrore të tij, e si do të ishte sikur të shpërthenin disa vullkane?! Vërtet, kjo është një çështje që kërkon prej nesh meditim, përsiatje, marrje mësim dhe këshillë. Muslimanit nuk i kalojnë ngjarje të tilla madhore pa pasur një ndalesë meditimi që pikënisjen e ka në besimin e tij tek Allahu dhe bindjen e tij se çdo gjë e mirë që ndodh në kozmosin e Tij është nga mirësia dhe mëshira e Tij, ndërsa çdo gjë e keqe ajo është në dijeninë e Tij. “Ky (rregull) është caktim i të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit” (En’am, 96) Në çdo gjë që paracakton dhe cakton Allahu ka urtësi: “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten” (Enbija, 23). Besimtari ndalet në situatat e marrjes së këshillës dhe urtësitë e caktimit, vështron dhe mediton. Arsyeja dhe konsiderata e besimtarit nuk kufizohet vetëm në atë që ndodh afër tij në kohë dhe hapësirë por ai merr mësim nga çdo gjë që i arrijnë shenjat e Allahut, afër apo larg tij në kohë dhe hapësirë.

    2- E mrekullitë (ose fenomenet natyrore që shkatërrojnë), Ne nuk i dërgojmë për tjetër vetëm për frikësim. Vullkanet dhe dridhjet janë ushtri e Zotit që i dërgon tek ata që dëshiron nga robërit e Tij, në kohën të cilën dëshiron, në formën që dëshiron, si paralajmërim, kërcënim, sprovim, testim dhe ndëshkim “Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd. Ky është vetëm një përkujtesë për njerëzit” (Mudethir, 31). Dhe prej ushtrisë së Allahut është edhe ky hi i përbërë nga grimcat e vogla të qelqit dhe shkëmbinjve të fragmentuara që kërcënojnë motorët e aeroplanëve, strukturën dhe lëvizjen e tyre. Ky hir është përshkruar vrasës për faktin se thithja e tij shkatërron indet e mushkërive. Kufizimi në justifikimin e asaj çka ka ndodhur se thjesht është një çështje natyrore që ndodh sipas sistemeve dhe ligjeve kozmike, dëshmon për shkujdesjen e Rregulluesit dhe Nënshtruesit të gjithësisë. A thua, kush i lëviz ato sipas atij sistemi dhe ligji dhe i jep liri veprimi sipas caktimit dhe rregullimit të Tij?! “Ai jua tregon juve vetëtimën, duke ju bërë të frikësoheni e të shpresoni; është Ai që krijon re të rënda (me shi). Bubullima e madhëron Atë me falënderim, por edhe engjëjt, nga frika ndaj Tij; Ai i dërgon rrufetë dhe godet me to kë të dojë - dhe përsëri diskutojnë për Allahun, ndërkohë që Ai është i ashpër në ndëshkime” (Ra’d, 12-13)

    3- Kjo është vetëm një përkujtesë për njerëzit! Kjo që ka ndodhur është shenjë prej shenjave të Allahut që i dërgon për robërit e Tij si përkujtim dhe këshillim për besimtarët ndërsa frikësim dhe tmerrim për përgënjështruesit. Zemrat besimtare marrin mësim, i nënshtrohen dhe i kthehen Zotit ndërsa zemrat e shkujdesura nuk i preokupon veçse humbjet ekonomike, ndjekja e informacioneve dhe mbikëqyrja e vullkaneve gjersa harrojnë Zotin e vullkaneve. “...sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje dhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.” (A’raf, 179) Vërtet, prej shenjave të ngurtësisë së zemrave dhe shuarjes së tyre është që njerëzit të dëgjojnë ngjarjet shqetësuese ndaj të cilave malet frikësohen, pastaj të vazhdojnë në paturpësitë dhe mëkatet e tyre, vazhdojnë të ndjekin epshet e tyre, janë mospërfillës ndaj paralajmërimit e as të nënshtruar ndaj kërcënimit.

    4- Besimtari është i ndjeshëm. Besimtari ndikohet nga këto gjendje tmerruese duke u shëmbëllyer me udhëzimin e Profetit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, i cili kur shihte erën ose retë, dallohej në fytyrë nga frika e zbritjes së dënimit. Kjo për shkak të një reje e si do të ndodhte me një varg hiresh në një lartësi njëmbëdhjetë kilometrash në ajër! Gjendja e tij me rastin e eklipsit të Diellit – shenjë kozmike – ishte i frikësuar, zemërthyer, përgjërues, saqë doli i frikësuar duke i tërhequr rrobat e tij e frikësohej se mos vjen Kiameti, ndërsa sot vërejmë njerëz që nuk ndikohen, nuk frikësohen e as nuk marrin këshillë?!

    5- Ata nuk e çmojnë Allahun me vlerën e Tij të vërtetë. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm. Kjo që ka ndodhur është dëshmi e madhe për fuqinë e Allahut të Lartësuar. Fuqia e Tij është mbi çdo fuqi tjetër, fuqia e Tij ngadhënjen çdo fuqi tjetër. Ai na ka treguar mrekullitë e fuqisë së Tij, shenjat e fuqisë së Tij në atë që ka krijuar dhe caktuar. Atë që deshi Allahu, ajo ka ndodhur dhe atë që nuk dëshiroi nuk ka ndodhur, Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë. “Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij” (Talak, 12) Fuqinë e Allahut nuk e kufizon asgjë. “Allahut nuk mund t’i shpëtojë asgjë, as në qiej, as në Tokë. Ai është vërtet i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë” (Fatir, 44)

    6- Pafuqia e qenies njerëzore. Njeriu sa herë që bën padrejtësi, bëhet mendjemadh e kryelartë në tokë dhe pretendon se ka arritur në shkallët kulmore të përsosmërisë dhe se nuk ka nevojë për Krijuesin e Tij, Allahu dërgon diçka për t’i shpjeguar atij dobësinë e tij, pafuqinë dhe nevojën e tij për Allahun e Lartësuar: “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd” (Fatir, 15) A thua çka kanë bërë shtetet me organet dhe fuqitë e tyre para kësaj ushtrie të Allahut? A mund ta parandalojnë ose ndalojnë atë? Ata vetëm po vështrojnë se çka po ndodh, nuk posedojnë asgjë me të gjitha arritjet e shkencës dhe teknologjisë! Ku është fuqia dhe aftësia e tyre? Ku janë studimet dhe hulumtimet e tyre, zbulimet dhe shpikjet e tyre? A e kanë shtyrë urdhrin e Allahut, e kanë ndaluar dënimin ose e kanë prishur caktimin? Për disa çaste të caktuara siguria po shndërrohet në frikë, fitimet e kompanive të linjave ajrore u shndërruan në humbje që llogariten në qindra miliona. I tërë kontinenti qëndroi i pafuqishëm para kësaj fatkeqësie, me të gjitha arritjet teknologjike e shkencore, me qëllim që Allahu tua bëjë me dije dobësinë dhe pafuqinë e tyre si dhe ta kuptojnë vërtetësinë e fjalës së Tij: “Thuaju (o Muhamed): “Të gjitha janë në dorë të Allahut!” (Ali Imran, 154)

    7- Ku qëndron fuqia materiale? Shpesh janë mburrur me aftësitë dhe fuqitë e tyre materiale dhe janë mashtruar me to. Mirëpo, ky përparim asgjë nuk ka mundur të bëjë përpara resë së tymit “Kush është ai, që mund t’ju ndihmojë si një ushtri e tërë, përveç të Gjithëmëshirshmit? Mohuesit janë pre e mashtrimit (të shejtanit) (Mulk, 20). Ata janë në mashtrim i cili i zbukuron ata se janë në siguri, mbrojtje dhe në qetësi! Kur kanë menduar se kanë arritur objektiva madhore në fushën e prodhimit të aeroplanëve, paparashikueshëm u erdhi vullkani dhe aviacioni i tyre u përballë me pafuqi dhe me humbje të mëdha “E, kur Toka vishet dhe zbukurohet dhe, kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj (për ta vjelë a korrur), iu vjen urdhri ynë, natën ose ditën” (Junus, 24)

    8- Juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni. Ku është shkenca, zhvillimi, teknologjia për ta eliminuar këtë re vullkanike? Shkencëtarët e ekologjisë, gjeologjisë dhe meteorologjisë ranë në konfuzion. Disa deklaronin se vullkani do të qetësohet, disa të tjerët thoshin se do të rritet ndërsa disa të tjerë mbeten të hutuar dhe nuk dinin se kur do të ndalej vullkani nga nxjerrja e pluhurit lundrues në një lartësi prej kilometrave në atmosferë, kjo ndoshta mund të vazhdojë për disa ditë, disa muaj apo edhe më shumë! Ndërsa disa të tjerë mendojnë se më e keqja akoma nuk ka arritur! Specialistët e gjeologjisë pranë zyrave të meteorologjisë deklarojnë me fjalët: “Vërejmë sinjale kontraste, ekzistojnë disa sinjale që tregojnë se shpërthimi do të qetësohet, ndërsa disa të tjera shfaqen se ai nuk kthehet mbrapsht”

    9- Llogaritë joadekuate njerëzore. Këto shenja kozmike kanë shkaqet që në shumicën e rasteve njerëzit mund t’i parashikojnë para ndodhjes së tyre, mirëpo këto incidente dita ditës vërtetojnë kufizimin e njerëzimit, qoftë në analizimin ose mundësinë e fatkeqësive, ose në përgatitjet, paralajmërimet ose në përballjet me to. Kur të ndodh caktimi i Allahut, atëherë nuk kanë dobi qendrat studimore strategjike, as masat paraprake, as sistemet qeverisëse e as qendrat hulumtuese e vëzhgimi i të dhënave e gjëra të tjera “vendosja e çështjes, para dhe pas (këtyre ngjarjeve) është vetëm nga Allahu” (Rum, 4). Ekspertët deklarojnë se ndikimi i resë vullkanike në këtë formë konsiderohet i pari këtij lloji. “Por dënimi i Allahu u erdhi andej nga nuk e pritnin.” (Hashr, 2)

    10- Nuk ka strehim apo ikje nga Ti pos tek Ti. Njeriu – sado që është i fuqishëm dhe i aftë – para këtyre shenjave kozmike madhore nuk ka shpëtim dhe rrugëdalje tjetër pos të strehuarit tek Allahu, Krijuesi dhe Rregulluesi i tyre, rënia para Tij, lutja dhe adhurimi i sinqertë për Të. Për këtë shkak, kur ndodh ndonjë prej shenjave madhore si eklipsi i diellit ose hënës, është ligjësuar namazi: “Vërtet, dielli dhe hëna janë dy shenja nga shenjat e Allahut e kur të ndodhë eklipsi, shpejtoni në namaz!”

    11- I Lartësuari, Rrotulluesi i gjendjeve. Sa shpejt shndërrohen gjendjet dhe ndryshohen gjërat. Vërtet, urdhri i Allahut, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet sa çel e mbyll sytë dhe pa kundërshtim. Allahu i Lartësuar aty për aty ndryshon nga gjendja në gjendje tjetër. Njerëzit në jetën e tyre shkojnë e ikin kurse pa shumë hyrje vullkani i befason me këtë hiri madhor që tua ngatërrojë planet, llogaritë dhe parashikimet e tyre. Besimtari kalon nga kjo çështje për ta kujtuar çështjen e Kiametit. “Ata që nuk besojnë do të vazhdojnë të dyshojnë në të (Kuran), derisa t’u vijë Ora (e Kiametit) në mënyrë të papritur ose derisa t’u vijë dënimi i Ditës Shterpë” (Haxh, 55), “A janë të sigurt ata se nuk do ti godasë një dënim gjithëpërfshirës nga Allahu apo që nuk do tu vijë papritmas Çasti i Fundit, ndërkohë që janë të pavetëdijshëm?” (Jusuf, 107)

    12- Mrekullitë e Allahut në caktimin e Tij. Këtë zjarr të ndezur Allahu i Lartësuar e nxjerr nga zemra e akullit dhe nga nën akullnajat ashtu siç kishte thënë presidenti i Islandës: “Ajo që shohim këtu në Islandë... është një pamje që nuk mund ta shihni në ndonjë vend tjetër në botë, është përzierje e shpërthimit vullkanik dhe akullnajave.” Sa e madhe është fuqia e Allahut dhe sa të habitshme janë mrekullitë e Tij, që i sjell për t’ua ndriçuar mendjen të shkujdesurve dhe ftuar ata që të meditojnë: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!” (Fusilet, 53) Allahu i Madhërishëm i sjell shenjat e Tij në hapësirat tokësore e qiellore, që argumentojnë për krijimin e Tij të përkryer dhe fuqinë e Tij të habitshme me qëllim që t’u sqarohet njerëzve e vërteta. Ajo që të bën të habitesh është fakti se shteti i vullkanit Islanda nuk është prekur nga ajo që ka ndodhur ngase rrymat ajrore i kanë mbartur copëzat e pluhurit vullkanik dhe janë drejtuar larg saj. Aeroplanët e saj aterrojnë dhe zbresin pa problem dhe frikë. Këtij hiri i është përcaktuar të shkojë në një vend të caktuar!

    13- Pikëpamja ateiste ndaj natyrës. Njerëzit që e mohojnë Krijuesin e tyre çdo gjë të vogël e të madhe në natyrë ia atribuojnë fuqisë së natyrës. Në vend të nënshtrimit ndaj fuqisë së Allahut të Lartësuar në atë që ka ndodhur, e gjejmë presidentin e shtetit vullkanik deklaron: “Kjo që ndodh i referohet fuqisë së natyrës”, ndërsa harrojnë fuqinë e Allahut të Madhërishëm i Cili i ka krijuar dhe nënshtruar. Natyra nuk ka fuqi e mundësi, por çdo gjë që ndodh ngjan me vullnetin dhe dëshirën e Allahut: “Është Ai që e ka shtrirë tokën, duke krijuar në të male dhe lumenj. Dhe për çdo lloj fruti, Ai ka krijuar nga një çift. Ai ka bërë që nata ta mbulojë ditën. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë” (Rad, 2) “Prandaj, qoftë lartësuar Ai, në Dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo gjë! Tek Ai do të ktheheni!” (Jasin, 83)

    14- Zjarri përkujtohet me zjarr. Shkrirja e zjarrit vullkanik që ka shkaktuar ky hi, temperatura e të cilit ka arritur në 1200 shkallë celsius, ka shkrirë 10% të akullnajës. Ky pra është zjarri i kësaj bote, por si qëndron puna me zjarrin e botës tjetër? Për këtë shkak, Allahu i Lartësuar kur e ka përmendur zjarrin e kësaj bote, ka thënë: “Ne e kemi bërë atë përkujtues (të zjarrit të Xhehenemit) (Vakia, 73), që përkujton zjarrin e madh në Ditën e Kiametit. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thotë: “Zjarri juaj (i kësaj bote) është një nga shtatëdhjetë pjesët e zjarrit të xhehenemit.”

    15- Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër. Hiret vullkanike çuan në mbylljen e aeroporteve, në izolimin e miliona pasagjerëve saqë disa prej tyre kërkuan ndihmën nga ambasadat e vendeve të tyre që t’u ndihmojnë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre...Sa konferenca janë organizuar, sa takime janë përgatitur, rezervimet u konfirmuan, datat u caktuan, kurse të zotët e tyre sot shtrihen në ulëset e aeroporteve. “Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe.” (A’raf, 188)

    16- Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Allahu fal shumë. Ky është ligji hyjnor. Sa herë që shtohen mëkatet, padrejtësia, vrasja dhe përhapet imoraliteti, shtohen fatkeqësitë e përgjithshme, si uragane shkatërruese, vërshimet e përmbytshme, dridhjet shkatërruese, vullkanet djegëse, sëmundjet vdekjeprurëse, epidemi të përgjithshme, luftëra të ashpra, uri, dëmtim të pasurisë, të njerëzve e të fryteve dhe shumë fatkeqësi të tjera me të cilat Allahu i frikëson robërit e Vet, i përkujton me fuqinë dhe pushtetin e Tij, ndërsa nëse ata e braktisin urdhrin e Tij, Atij nuk i vjen keq se në cilin vend shkatërrohen. “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Rum, 41). Kjo nuk është katastrofa e fundit që do t’i godasë ata që i shmangen rrugës së Allahut, që bëjnë tirani, padrejtësi dhe bëhen kryelartë: “Dhe ndonjë fatkeqësi shkatërruese nuk do të pushojë për t’i goditur ata që nuk besojnë për veprat e tyre (të liga), apo ajo të vendoset pranë shtëpive të tyre, derisa të vijë e të kalojë Premtimi i Allahut, pasi Allahu sigurisht që nuk e shkel Premtimin e Vet.” (Rad, 31)

    17- Në fatkeqësitë e një populli ka dobi për popujt e tjerë. Para kësaj katastrofe ekonomike të kompanive globale ajrore është rritur kërkesa për trena, autobusët, anijet transportuese. Gjithashtu, presioni është shtuar edhe nëpër hotelet. ﷻ‬ aktivizuan kompanitë e transportit hekurudhor që janë shtuar trena shtesë ndërmjet vendeve të Evropës si dhe në përgjithësi janë rritur çmimet e udhëtimeve. I lartësuar qoftë Allahu, i Cili ndan riskun. Përderisa ata i gëlltitin hidhërimet e humbjeve të rënda, të tjerët begatohen me fitimet imagjinare që nuk i kanë llogaritur ndonjë ditë.

    18- Të kujtuarit e dhuntive të Allahut ndaj nesh. Kush vështron atë që i ka goditur njerëzit nëpër aeroporte, gjumin e tyre nëpër ulëset, i ka kapluar lodhja dhe brengosja për pritjet, e rikujton begatinë e Allahut ndaj tij, qetësinë, rahatinë dhe sigurinë. Besimtari i shikon fatkeqësitë e të tjerëve dhe atij i lehtësohen fatkeqësitë e tij, zemra e tij i mbushet me lavdërim për Allahun dhe gjuha e tij me falënderim ndaj Tij.

    19- Skena e skena. Vërtet, këto vullkane dhe dridhje na kujtojnë Dridhjen e Madhe. Një vullkan i vetëm ka shkaktuar çfarë ka shkaktuar, frikë e fatkeqësi, e si qëndron me dridhjen e madhe: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedh barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (Haxh-xh, 1-2) Ndërsa hiri që ka mbuluar diellin nga qielli i këtyre shteteve na kujton fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin.” (Tekvir, 1) Shpërndarja e pjesëve të vullkanit në atmosferë na kujton fjalën e Allahut të Madhërishëm kur thotë: “Kur yjet të rrëzohen” (Tekvir, 2), do të thotë rrëzohen në tokë. Ndërsa prishja e lëvizjes së aeroplanëve dhe aeroporteve na kujton fjalën e Tij: “Kur devetë mbarse të braktisen” (Tekvir, 4) devetë mbarse konsideroheshin pasuria më e vlefshme tek arabët. Allahu i Lartësuar tërheq vërejtjen me këtë për braktisjen e çdo gjëje është në kuptim të saj, çdo pasuri e vlefshme, nga aspekti se u vjen njerëzve ajo që i habitë dhe nuk mund të përfitojnë nga ajo. Pafuqia e kontinentit evropian me pajisjet, mekanizmat, habinë se ç’ndodh, të pyeturit njëri-tjetrin se ç’ndodh, na kujton për pafuqinë e njeriut me rastin e ndodhjes së Kiametit. “Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit), kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!” (Zelzele, 1-3) Grumbullimi i këtyre reve që mbushin atmosferën në lartësi të lartë na kujton tymin që do ta dërgojë Allahu i Madhërishëm para ndodhjes së kiametit. “Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, që do t’i mbulojë njerëzit, (e do t’u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm!” (Duhan, 10-11).

    Në mbyllje: Vërtet, të shikuarit dhe vështruarit e shenjave kozmike madhore të Allahut të Lartësuar, mjaftojnë nga këshilla e këshilluesve, përkujtimi i përkujtuesve dhe predikimi i predikuesve. Ato janë ndërgjegjja më e madhe, këshilluese më të mira, predikuese më shprehëse. Sigurisht, që në etapat e jetës, ndryshimin e kohës dhe katastrofat e saj ka mësime, këshilla, përkujtime dhe përvoja, në të cilat i mençuri e llogarit vetveten, i rishikon pozicionet me qëllim që të mos jetojë në vuajtje e të merret në llogari për pakujdesinë.

    E lusim Allahun e Lartësuar t’ua lehtësojë muslimanëve në vend të botës si dhe nga kjo shenjë ta bëjë mësim nga i cili do të udhëzohen të humburit në rrugën dhe fenë e Tij të vërtetë. Ai është Dëgjuesi, pranuesi i lutjeve, i Buti dhe i Gjithëdijshmi. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.