×
Zoti deshi që shkencës së Hadithit në këtë shekull t’i prijnë dijetarët shqiptarë që i njeh tërë bota islame, i respekton, nderon dhe me veprat e tyre kanë lënë histori që dëshmon për ta. Në shenjë mirënjohjeje të kontributit të tyre Dr. Sulejman Osmani ka përmbledhur në fjalë të shkurtra jetën dhe veprimtarinë e tyre.

    Kontributi i Dijetarëve shqiptarë dhënë shkencës së Hadithit

    ﴿ مساهمة العلماء الألبانيين في علم الحديث ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Sulejman Osmani

    Redaktoi : Redaksia e fjalaebukur.com

    2010 - 1431

    ﴿ مساهمة العلماء الألبانيين في علم الحديث ﴾

    « باللغة الألبانية »

    سليمان عثماني

    مراجعة: هيئة تحرير موقع الكلم الطيب

    2010 - 1431

    KONTRIBUTI I DIJETARËVE SHQIPTARË DHËNË SHKENCËS SË HADITHIT

    Bota Islame ka pasur muhadithinë të njohur nga të gjitha anët e saj. Edhe në kohën e Pejgamberit sahabët vinin nga vendet e ndryshme dhe mësonin prej tij, pastaj ato mësime ua transmetonin mesit ku jetonin. Në mesin e tyre kishte romakë, persianë, etiopianë dhe të gjithë njiheshin sipas etnitetit të tyre. Islami nuk njeh kufizime të racës, llojit apo shtetësisë. Shtetësia e tij është besimi, i cili nuk njeh kufij e as ndarje në mes muslimanëve.

    Imam Buhariu dhe shumë të tjerë nuk ishin arabë, por kontributi i tyre u bë i pazëvendësueshëm. Pastaj gjatë shekujve pati dijetarë të mëdhenj dhe secilit shekull i printe njëri prej tyre.

    Zoti deshi që shkencës së Hadithit në këtë shekull t’i prijnë dijetarët shqiptarë që i njeh tërë bota islame, i respekton, nderon dhe me veprat e tyre kanë lënë histori që dëshmon për ta. Në realitet ka edhe shqiptarë të tjerë të rangut të tillë, por këta të hadithit janë të nivelit më të lartë, ngase sipas vlerësimeve Nasirudin Albani është dijetari numër një i shkencës së Hadithit në tërë botën islame, dhe në shumë çështje kontestuese profesionale, fjala e tij është përfundimtare. Në shenjë mirënjohjeje të kontributit të tyre do të mundohemi që për ta t’i themi disa fjalë.[1]

    NASIRUDIN ALBANI

    Emri i tij është Muhammed Nasirudin el Albani, ndërsa në tërë botën islame njihet si “Shejh Albani”. Ka lindur më 1914 në Shkodër dhe qysh kur ishte fëmijë familja e tij emigroi në Siri ku u vendos në Damaskun e sotëm. Aty i kaloi ditët e fëmijërisë dhe qysh herët nisi të merrej me dije. Mësoi nga një numër i madh i dijetarëve të asaj kohe. Krahas kërkimit të dijes, merrej edhe me një zeje të trashëguar. Punën e orëtarit e kryente me përvojë, andaj këtu e zgjidhte problemin material për vete dhe familjen e tij. Babai kryente detyrën e imamit dhe të gjithë shqiptarët që jetonin aty tuboheshin rreth tij. Ndaj djalit të tij kishte kujdes shumë të madh, me shpresë se një ditë do ta arrinte qëllimin.

    Me kalimin e kohës Nasirudini me vendosmëri të madhe merrej me studime. Kërkimet në bibliotekën e Damaskut ishin bërë përditshmëri e tij, posaçërisht kishte interesim rreth dorëshkrimeve. Ditë të tëra nuk dilte jashtë dhe mund të themi se ajo ishte shtëpia e tij e dytë. Thonë se bibliotekën e Damaskut “Edh-Dhahirie” që është nga më kryesoret në botën islame nuk e njeh askush më shumë se Nasirudini dhe gjithë përmbajtjen e saj e ka të regjistruar në kokën e tij. Kjo u bë shkak që më vonë rreth vetes të ketë numër të madh të nxënësve që mësonin nga dija e tij.

    Më vonë u largua nga Siria dhe shkoi në Medinë ku ishte themeluar Universiteti Islam në krye me dijetarin Abdullah bin Baz, i cili e ftoi Nasirudinin që të vijë si mësimdhënës në këtë Universitet. Ftesën e pranoi me kënaqësi, ngase aty mësonin nxënës nga të gjitha anët e botës. Dëshmitarët thonë se ato ditë Medina i ngjante kohës kur jetonin sahabët e Pejgamberit. Dijetarët më të mëdhenj të kohës kishin vërshuar Medinën, kurse Xhamia e Pejgamberit ishte shndërruar në Universitet Popullor dhe vrujonte nga dija.

    Nga Arabia Saudite kaloi në Jordan ku vazhdoi një jetë të lirë pa farë obligimi zyrtar. Tërë kohën e kalonte në studim dhe kurorëzoi shumë vepra të mëdha. Vetë nuk jetoi në Shqipëri, por shqipen nuk e kishte harruar, fliste rëndë, por mund të kuptohej.

    Gjatë fjalimit të tij të bënte të bindesh se një det i mirëfilltë i dijes po derdhej nga goja e tij. Ngjallte kujtesën e dijetarëve të mëhershëm. Veprat e tij në historinë islame do të mbesin të paharruara.

    Veprat që i shkroi janë të shumta. Kryesisht ka shkruar në lëndën e Hadithit dhe shkencat e saj. Me punën që e bëri është krah për krah me dijetarët më të mëdhenj të shkencës së Hadithit, andaj me të drejtë nga ana e kompetentëve është vlerësuar si muhadithi numër një i këtij shekulli.

    Sipas vlerësimeve, ka më tepër se njëqind vepra të botuara, disa prej tyre voluminoze. Nga më të rëndësishmet “Irvaul Galil”, ku ka bërë studimin kritik të haditheve me të cilat ka argumentuar njëri nga dijetarët e medh’hebit hanbeli në librin “Menarus-sebil”.

    Vlerësimet e tij janë bazë për të gjithë studiuesit e sotëm. Gjithashtu mr rëndësi të madhe është edhe seria e haditheve të vërteta “Silsiletul Ehadithi Es-Sahiha” dhe seria tjetër e haditheve të dobëta (daife). Me këtë bëri një punë që nuk e ka bërë askush para tij. Seria ka disa vëllime të botuara dhe të tjera të pabotuara. Është në vazhdim e sipër projekti rreth vlerësimeve të haditheve të katër suneneve dhe shumë të tjera. Pasi numri i tyre është shumë i madh, ne cekëm vetëm disa nga më të rëndësishmet. Thonë se ajo që ka mbetur në dorëshkrim është më tepër nga ajo që është botuar.

    Në vlerësimet e haditheve që i bën Nasirudini mbështeten dijetarët më eminentë.

    ABDULKADËR ARNAUTI

    ﷻ‬ lind në fshatin Vrellë të komunës së Istogut në vitin 1928, ndërsa familja e tij u shpërngul në Siri, Damaskun e sotëm në vitin 1931 dhe aty e kaloi tërë jetën. Edhe sot jeton në Damask ku ka një shtëpi dhe kalon jetë mesatare. E gjithë familja e tij flet bukur gjuhën shqipe, bile Abdulkadri është në gjendje të ligjërojë me një gjuhë të ëmbël popullore. Lidhja me vendlindjen ia bëri të mundur ta ruajë gjuhën e nënes.

    Disa herë ka vizituar Kosovën dhe të afërmit e tij në istog. Kjo i ka ndihmuar që për së afërmi t’i njohë problemet tona, andaj gjatë vizitave që ia bënim interesohej shumë për gjendjen në trojet tona.

    Vizitat që i bënte në Kosovë i shfrytëzonte për takim me masën ku i këshillonte dhe mbante hutbe në xhami apo aty ku e shihte të nevojshme.

    Pas rënies së komunizmit para pak vitesh, me qëllim thirrjeje në fe, vizitoi Shqipërinë ku mbajti shumë ligjërata dhe vizitoi disa qytet. Bile ishte thirrur që të mbetet për një kohë, por për çështje shëndetësore nuk mundi të vazhdojë. Disa herë ishte deleguar që të vëzhgojë gjendjen e muslimanëve në Kosovë dhe raportet e tij janë shënuar në revista të ndryshme shkencore.

    Abdulkadri është shembull në sjellje dhe moral, takvallëku i tij është për lakmi, sinqeriteti dhe modestia veçori të pandashme. Ishte shumë dorëlirë, ndonëse kishte obligime si mbajtës i familjes, prapëseprapë gjente mjete të ndihmonte nevojtarët, e sidomos nxënësit tanë që mësonin në Damask.

    Nuk ka pasur pozita zyrtare shtetërore. Një kohë ishte hatib në një xhami dhe kishte një masë të madhe përkrahësish. Ata që donin të dëgjonin hutben e tij, shkonin për të zënë vend në xhami disa orë më parë. Me vendosmëri luftonte novatoritë në fe dhe ishte i vendosur para sekteve të ndryshme. Në këtë aspekt edhe shkroi. Detyrën e hatibit e kreu disa vite me radhë derisa u ndalua nga ana e pushtetit. Në ndërkohë në një shkollë ligjëronte lëndën e terminologjisë së Hadithit dhe me të kthyer vazhdonte punën në bibliotekën personale.

    Ka shkruar një numër të madh librash dhe ka më se gjashtëdhjetë tituj të botuar. Nga më kryesoret llogaritet studimi dhe shtojcat që ia bëri librit “Xhamiul usul” të Ibn Ethirit, por edhe në ditët e sotme nuk ndalet së shkruari me gjithë shëndetin e lig që po e përcjell dhe kufizimet nga ana e pushtetit.

    SHUAJB ARNAUTI

    Është lindur në Shkodër dhe qysh në vegjëli familja e tij është shpërngulur të jetojë në damaskun e sotëm. Aty u rrit dhe filloi jetën në shërbim të shkencës. Një kohë të gjatë ka bashkëpunuar me AbdulKadrin (Arnautin) dhe kanë qitur në dritë disa vepra shumë me rëndësi, në mesin e të cilave studimin që ia bënë librit “Zadul mead” të Ibn Kajimit, që nga njohësit e mirë është cilësuar si mund shumë i suksesshëm.

    Më vonë Shuajbi ka kaluar të jetojë në Jordan (Aman). Aty një shtëpi botuese i ka caktuar një lokal të posaçëm ku ka edhe ekipin e vet. Në të kalon ditë dhe natë të tëra pa u lodhur. Lirisht mund të themi se nga vëllimi i madh i punëve nuk ka orar të caktuar. Lokali ka disa dhoma të mbushura me libra që i shërbejnë vetëm ekipit studiues, ndërsa Shuajbi udhëheq punën e tërësishme.

    Si rezultat i punës së palodhshme, kanë parë dritën shumë libra, të cilët që shumë vite kishin mbetur në rafte si dorëshkrime. Puna e tij kryesisht është përqendruar në studimin e dorëshkrimeve të vjetra e që llogariten nga literatura islame. Në këtë aspekt ka arritur sukses të konsiderueshëm, andaj me të drejtë sot llogaritet si njohësi më i mirë i dorëshkrimeve islame dhe mbështetja është në verifikimet e tij. Pastaj shumë libra të tillë mund të gjenden vetëm në bibliotekën e tij.

    Veprat e tij janë projekte të mëdha, në disa vëllime. Më voluminozja ndër to është enciklopedia mbi personalitetet më të njohura deri në shekullin e gjashtë hixhrij: “Sijer A’lam En-Nubela” që e shkroi Imam Dhehebiu. Shuajbi shkroi parathënien dhe bëri redakturën, pastaj nga përmbajtja e tekstit shkoqiti shumë çështje me rëndësi. Në ktë kategori bën pjesë edhe nxjerrja në dritë e Sahihut të Ibn Hibbanit të quajtur “El Envau ve Et-Tekasim” në disa vëllime.

    Këta libra ishin pjesë e punës së Shuajbit, e titujt e shumtë të tyre është vështirë të numërohen.

    Sot jeton dhe vepron në Aman.

    [1] Ky artikull është pjesë e librit “Suneti bazë e Sheriatit” i cli është shkruar gjatë kohës kur të tre këta dijetarë ishin gjallë. Por, në kohën kur po publikohet ky artikull në islamhouse.com prej tyre ka mbetur gjallë vetëm Shejh Shuajbi. Allahu e mëshiroftë Shejh Albanin dhe Shejh AbdulKadrin dhe e lusim Allahun ta begaton Shejh Shuajbin me mirësitë e Tij dhe ta ruan atë.