Dispozita per ate qe ka harruar kompensimin gjersa e ka arritur Ramazani tjeter
Kategoritë
Full Description
Pyetja: Cila është dispozita për atë që harron ta kompenson agjërimin gjersa të arrin Ramazani tjetër?
Përgjigja: Dijetarët e Fikhut janë të pajtimit se harresa është arsye e cila e eliminon mëkatin dhe ndëshkimin, në të gjitha shkeljet për shkak të argumenteve të shumta nga Kurani dhe Syneti por, ata kanë mospajtim për atë që pason pas shkeljes si shpagim e të ngjashme.
E për sa i përket kompensimit të Ramazanit gjersa të hynë Ramazani tjetër dijetarët janë pajtuar se kompensimi është i domosdoshëm pas Ramazanit tjetër dhe nuk anulohet për shkak të harresës.
Por, ata kanë mospajtim rreth shpagimit (e që është ushqimi i një të varfëri) a i shtohet kompensimit dhe këtë në dy mendime:
Mendimi i parë: Nuk obligohet me shpagim, ngase harresa është arsye e cila eliminon si mëkatin ashtu edhe shpagimin.
Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve të medhhebit Shafi dhe një pjesë të atyre Malikij.[1]
Mendimi i dytë: Obligohet me shpagim, sepse harresa është arsye e cila eliminon vetëm mëkatin.
Këtë mendim e ka El Hafidh Esh Sherbini nga Shafinjtë i cili ka thënë: Më afër është se anulohet për të mëkati por jo edhe shpagimi.[2]
E këtë e theksojnë edhe disa dijetarë Malikij, gjithashtu.[3]
Më i saktë është mendimi i parë inshAllah dhe këtë për shkak të tre argumenteve:
I pari: Kuptimi i përgjithshëm i ajeteve dhe haditheve të cilat e eliminojnë nga ai që harron ndëshkimin, sikurse fjala e Allahut të lartësuar: “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!" (El Bekare: 286)
I dyti: Parimisht njeriu është i lirë nga detyrimet prandaj nuk lejohet ngarkimi i tij me shpagime vetëm se me argument, e nuk ka argument të fortë në këtë çështje.
E treta: Për këtë shpagim ka mospajtim në obligimin e tij edhe për atë që e vonon kompensimin me qëllim ku dijetarët e medhhebit Hanefij dhe Dhahirij kanë mendimin se nuk iu obligohet si dhe Shejh Ibn Uthejmin e ka zgjedhur se ajo është e preferuar vetëm, ngase për ligjësimin e tij nuk janë transmetuar vetëm se veprat e disa Sahabëve. E kjo nuk mjafton për t'i obliguar njerëzit me të nëse e bëjnë me qëllim e assesi nuk mjafton për t'i obliguar ata kur kjo iu ndodh me arsye të cilën Allahu e ka llogaritur (pranuar) si arsye.
Rezyme e përgjigjes: Ai e ka obligim vetëm kompensimin dhe jo edhe shpagimin. Dhe i kompenson ato ditë pas kalimit të Ramazanit të tashëm.