×
Në këtë fetva hoxha i nderuar i përgjigjes pyetjes rreth asaj se a është obligim hatmeja (përfundimi i leximit) e Kuranit në Ramazan si dhe flet rreth praktikës së gjeneratave të para për këtë.

    A obligohet hatmeja e Kuranit në Ramazan?

    ﴿ هل يجب ختم القرآن في رمضان؟ ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed Salih El Munexhid

    Përktheu : Driton Lekaj

    2009 - 1430

    ﴿ هل يجب ختم القرآن في رمضان؟ ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    محمد صالح المنجد

    ترجمة: دريتون ليكاي

    2009 - 1430

    Pyetja: A e ka obligim myslimani ta bëjë hatme Kuranin gjatë muajit të Ramazanit dhe cili është argumenti për këtë?

    Përgjigja:

    E para: Pyetësin e falënderojmë për kujdesin që t'i njohë çështjet me argumentet e tyre dhe nuk ka dyshim se kjo është një gjë që kërkohet dhe duhet të mundohet për këtë çdo mysliman ashtu që të jetë nga pasuesit e Kuranit dhe Synetit.

    Shevkani (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Pasi që të është bërë e qartë se njerëzit e thjeshtë e pyesin dijetarin dhe ata që janë të mangët në dituri i pyesin ata që janë më të plotë atëherë, ai duhet të pyes dijetarët e njohur si të devotshëm, dijetarët e Kuranit dhe Synetit dhe që e dinë atë që është në to dhe i cili posedon shkencat anësore që ia mundësojnë kuptimin e tyre ashtu që ta udhëzojnë dhe ta orientojnë.

    Ai pyet për atë që i ka ndodhur duke kërkuar dispozitën e saj në Librin e Allahut dhe Synetin e të Dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Me këtë rast ai e merr të vërtetën prej burimit të saj dhe dispozitat prej vendndodhjes së tyre dhe lë anash logjikën prej së cilës nuk është i sigurt se nuk bie në kundërshtim me fenë dhe të mos jetë larg të vërtetës."[1]

    Ibn Salahu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Sem'ani e ka përmendur se nuk ka pengesë që t'i kërkohet myftiut argumenti për shkak të kujdesit për veten e tij. Me këtë rast obligohet myftiu ti tregojë argumentin nëse është i prerë e nuk obligohet nëse nuk është argumenti i prerë për shkak se njeriu i thjeshtë nuk posedon aftësi për të bërë ixhtihad. E Allahu e dinë të drejtën."[2]

    E dyta: Myslimani nuk obligohet që ta bëjë hatme Kuranin gjatë muajit të Ramazanit por, i preferohet të shtojë leximin e Kuranit në Ramazan dhe të kujdeset për ta bërë hatme atë. E nëse nuk e bën hatme nuk bën mëkat por, ia humb vetes shumë shpërblime të mëdha.

    Argumenti për këtë është: Ajo çka ka transmetuar Ebu Hurejre se:

    “Xhibrili ia lexonte Kuranin Pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) për çdo vit njëherë ndërsa vitin në të cilin vdiq ia lexoi atë dy herë."[3]

    Ibn Ethiri ka thënë: “E studionte me të tërë atë që kishte zbritur prej Kuranit."[4]

    Abdullah b. Mesudi tregon se kjo paraqitje ishte në Ramazan.[5]

    Prej traditës së Selefit ishte kujdesi që të bënin hatme në Ramazan duke pasuar kështu Pejgamberin (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të). Ibrahim En Nahijj ka thënë: Esvedi e bënte hatme Kuranin në çdo dy natë .. e jashtë tij e bënte hatme çdo gjashtë natë.[6]

    Katade e bënte hatme Kuranin çdo shtatë netë. E kur vinte Ramazani e bënte hatme çdo tre natë. E kur vinin dhjetë ditët e fundit e bënte hatme për çdo natë.[7]

    Transmetohet nga Muxhahidi se e bënte hatme Kuranin për çdo natë.[8]

    Muxhahidi ka thënë: Alijj El jezdi e bënte hatme Kuranin për çdo natë.[9]

    Rebi b. Sulejman ka thënë: Imam Shafiu e bënte Kuranin hatme në Ramazan gjashtëdhjetë herë.[10]

    El Kasim b. El Hafidh El Asakir ka thënë: Babai i im ka qenë i rregullt në faljen e namazit me xhemat dhe leximin e Kuranit dhe e bënte hatme atë çdo xhuma e në Ramazan e bënte hatme çdo ditë.[11]

    Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) thotë për çështjen e sasisë së hatmeve në Ramazan: “Ajo që e zgjedhim është që kjo ndryshon me ndryshimin e njerëzve. Atij që me një të menduar preciz i shfaqen shumë njohuri dhe urtësi le të përkufizohet në një sasi që e arrin me të kuptimin e plotë të asaj që e lexon. E kësisoj edhe ata që janë të nxënë me përhapjen e diturisë apo ndonjë obligim tjetër fetar dhe interesat e përgjithshme të myslimanëve le të përkufizohet në një sasi që nuk e dëmton shpërblimin e deponuar për këtë.

    E nëse nuk është prej këtyre që u përmendën le të shtojë sa më shumë sipas mundësisë, duke mos i kaluar kjo në mërzi apo belbëzim."[12]

    Edhe pas këtij preferimi dhe përforcimi për leximin e Kuranit dhe bërjes hatme në Ramazan kjo çështje mbetet në rrethin e gjërave të preferuara dhe nuk është prej obligimeve që bën mëkat myslimani me lënien e tyre.

    Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) është pyetur: A obligohet agjëruesi ta bëjë hatme Kuranin?

    E është përgjigjur: Hatmeja e Kuranit në Ramazan nuk është obligim për agjëruesin por, njeriu në Ramazan duhet ta shtojë leximin e Kuranit sikurse që ka qenë kjo tradita e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të). Pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) ia lexonte Kuranin Xhibrili çdo vit.[13]

    Allahu e dinë më së miri.

    [1] Irshadul Fuhul: 2/110

    [2] Edebul Mufti vel Mustefti: 1/92

    [3] Buhariu me nr: 4712

    [4] En Nihaje: 4/64

    [5] Ahmedi me nr: 3745 dhe Ibn Xheriri: 1/28.

    [6] Es Sijer: 4/51.

    [7] Es Sijer: 5/276.

    [8] Et Tibjan lin Nevevi: 74 dhe e ka konsideruar të saktë.

    [9] Tehdhibul Kemal: 21/42.

    [10] Es Sijer: 10/36.

    [11] Es Sijer: 20/562.

    [12] Et Tibjan Lin Nevevi: 76.

    [13] Mexhmu Fetava Ibn El Uthejmin: 20/184.