Vonimi i Zekatul Fitrit pas ditës së Bajramit
Ky material është i përkthyer në
Kategoritë
Full Description
Vonimi i Zekatul Fitrit pas ditës së Bajramit
] Shqip – Albanian – ألباني [
Muhamed Salih El Munexhid
Përktheu : Driton Lekaj
2009 - 1430
﴿ أعطوه زكاة الفطر فأخرها عن يوم العيد لعدم وجود فقراء ﴾
« باللغة الألبانية »
محمد صالح المنجد
ترجمة: دريتون ليكاي
2009 - 1430
Një person jeton në Itali dhe ai është kujdestar për xhaminë e cila gjendet në qytetin e tij si p.sh. i mbledh donacionet. Ramazanin e fundit ai mblodhi Zekatul Fitrin nga xhemati me qëllim që t'ia jep atyre që e meritojnë por, nuk ka gjetur të tillë që i plotësojnë kushtet kështu që Zekati i Fitrit i ka mbetur deri më sot, prandaj a t'ia shton atë fondit të shpenzimeve të xhamisë për të cilën përkujdeset? Edhe pse fondi për xhaminë është i mjaftueshëm. Apo t'ia jep një shkolle në të cilën mësohen shkencat fetare në vendin e tij? Edhe pse sa për informatë kjo shkollë merr donacione nga bamirësit. Dhe a shkakton problem se djali i tij mëson në atë shkollë? Si dhe a ju mëngohet shpërblimi atyre që kanë dhënë Zekatul Fitrin?
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut të lartësuar ...
Së pari: Zekatul Fitri duhet të jepet para namazit të Bajramit për shkak se Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh kanë transmetuar nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë:
“Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) e ka obliguar Zekatul Fitrin si pastrim për agjëruesin prej fjalëve dhe veprave të kota dhe ushqim për të varfëritë. Ai që e jep para namazit atij i pranohet si Zekat i Fitrit e nëse e jep pas namazi,t atëherë është sadakë (lëmoshë) prej sadakave." [1]
Në librin “Avnul Mabud sherh Sunen Ebi Davud" shënohet: “Ajo që kuptohet fillimisht nga hadithi është se ai që e jep Zekatul Fitrin pas namazit të bajramit është sikurse ai që nuk e ka dhënë fare për shkak se barazohen në lënien e kësaj lëmoshe (sadake) të obliguar. Shumica e dijetarëve kanë mendimin se dhënia e tij para namazit të Bajramit është vetëm e preferuar ndërsa pohuan se koha për dhënien e saj vazhdon deri në fund të ditës së Bajramit por, hadithi kundërshton këtë mendim të tyre."
Sa i përket vonimit të saj pas ditës së Bajramit Ibn Rislani ka thënë: “Kjo është e ndaluar me pajtimin e dijetarëve sepse ajo është zekat, për këtë në vonimin e tij ka mëkat sikurse në vonimin e namazit prej kohës së tij."
Pas kësaj që thamë vërtetohet se Imami ka gabuar që e ka vonuar zekatin dhe ai duhet të hulumtojë për ata që e meritojnë atë apo ta transferojë zekatin në një vend ku gjendet dikush që e meriton atë.
Së dyti: Ai që e vonon Zekatul Fitrin pas ditës së Bajramit pa ndonjë arsye bën mëkat dhe obligohet me kompensimin e tij. Ndërsa për xhematin nuk ka ndonjë pasojë, sepse ata e kanë obliguar dikë që ta jep në emër të tyre. Si dhe imami obligohet menjëherë t'ua jep atyre që e meritojnë dhe nuk lejohet atë ta vendosë në fondin e xhamisë, ndërsa për sa i përket medresesë fetare nëse ka në të varfër që e meritojnë zekatin lejohet t'ua jep atyre përndryshe jo.
Ibn Kudame (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nëse e vonon (d.m.th. Zekatul Fitrin) pas ditës së Bajramit bën mëkat dhe obligohet ta kompensojë." [2]
Në “Enciklopedinë e Fikhut" thuhet: “Malikitë, Shafitë dhe Hanbelitë kanë mendimin se ai që e vonon Zekatul Fitrin pas ditës së Bajramit duke pas mundësi ta jep atë bën mëkat si dhe obligohet ta kompenson atë." [3]
Komisioni i Përhershëm për Fetva është pyetur: A është koha e dhënies së Zekatul Fitrit prej pas namazit të Bajramit e gjer në fund të asaj dite?
Janë përgjigjur: “Koha e dhënies së Zekatul Fitrit nuk fillon pas namazit të Bajramit por, fillon prej perëndimit të diellit të ditës së fundit të Ramazanit e ajo është nata e parë e muajit Sheval dhe përfundon kjo kohë me namazin e Bajramit, sepse Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka urdhëruar të jepet para namazit të Bajramit dhe për shkak të asaj që ka transmetuar Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) se Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka thënë:
"Ai që e jep para namazit atij i pranohet si zekat i Fitrit e nëse e jep pas namazi,t atëherë është sadakë (lëmoshë) prej sadakave." .
Lejohet dhënia para kësaj kohë për një apo dy ditë për shkak të asaj që ka transmetuar Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) i cili ka thënë: ““I Dërguari i Allahut e ka bërë obligim sadaktul Fitrin në Ramazan .. e në fund të tij tha: E jepnin para kësaj kohe një apo dy ditë."
Ai që e vonon nga koha e saj bën mëkat dhe ai duhet të pendohet për vonimin e tij dhe t'ua jep të varfërve." [4]
Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) është pyetur: Nuk e kam dhënë Zekatul Fitrin, sepse Bajrami erdhi befasisht e pas namazit të Bajramit nuk pata kohë të lirë të pyes për atë se çka kam obligim të bëj pas kësaj. Se a anulohet për mua apo duhet patjetër ta japë atë? Dhe cila është urtësia prej saj?
Është përgjigjur: “Zekatul Fitri është obligim. Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) ka thënë:
“I Dërguari i Allahut e ka bërë obligim sadaktul Fitrin" Ai është i obliguar për secilin mysliman: mashkullin dhe femrën, të voglin dhe të madhin, të lirin dhe robin. E nëse paramendohet se ka ardhur dita e Bajramit befasisht para se ta japësh atë, atëherë ti e jep ditën e Bajramit edhe pas namazit, sepse adhurimi i obliguar kurdo që të kalon koha e tij me arsye, atëherë ai kompensohet kur të eliminohet ajo arsye, për shkak të fjalës së Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) për namazin:
“Kush e harron një namaz apo e zë gjumi pa e falur, atëherë le ta falë atë kut t'i kujtohet dhe përveç kësaj nuk ka shpagim tjetër. Dhe e ka lexuar fjalën e Allahut të lartësuar: “Dhe fal namazin për të më kujtuar Mua."(Taha: 14). Për këtë vëlla i dashur që po pyet ti e ke për obligim ta japësh atë tash." [5]
Dhe ka thënë: “E nëse e vonon me arsye sikurse harresa apo mos prezenca e të varfërve në natën e Bajramit, atëherë ajo pranohet prej tij kurdo që e jep, qoftë nëse e kthen në pasurinë e tij e më pas e jep apo e lë ashtu deri sa të vjen një i varfër."
Imami i xhamisë e ka obligim t'ua jep këtë zekat të varfërve dhe të mjerëve e nëse këta nuk gjenden në vendin e tij, atëherë ai e transferon zekatin në një vend tjetër.
Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) është pyetur për transferimin e Zekatul Fitrit e është përgjigjur:
“Transferimi i Zekatit të Fitrit në një vend tjetër nga vendi në të cilin është ai që e ka dhënë s'ka gjë nëse bëhet për ndonjë nevojë, sikurse me rastin kur nuk gjenden te ai askush prej të varfërve. E nëse bëhet pa ndonjë nevojë, sikurse po të gjendet në vendin në të cilin është ata që e pranojnë atë, atëherë kjo vepër e tij nuk lejohet sipas mendimit të disa dijetarëve." [6]
E Allahu e dinë më së miri.